Tel : 0696003300
Email : [email protected]
Kush është treguesi i mirëqënies së një populli ?
Mirëqënia është një temë që studiohet nga shumë disiplina si psikologjia, sociologjia, filozofia, politika , ekonomia, urbanistika e plot të tjera.
Disa vite më parë për ish presidentin e Uruguajit José Mujica mirëqënia ishte një koncept tërësisht i lidhur me ndjesitë me emocionet pra me lumturinë. Ai mbajti një fjalim shumë interesant në një Konferencë të UN në Rio de Janeiro. Diskutimi i tij preku shumë aspekte , por në përgjithësi tërhoqi vemendjen mbi konsumizmin e tepruar… “Nuk kemi ardhur në këtë botë për suksese dhe arritje…por për t’u përpjekur të jemi të lumtur, sepse jeta është shumë e shkurtër dhe shpejt duhet të largohemi . Asnjë e mirë materiale nuk vlen sa jeta jonë. Kjo më duket elementare “…tha mes të tjerash ai .
Me qëndrimin e tij Presidenti i ftoi të gjithë të reflektonim mbi faktin se nuk kemi ardhur në jetë për të akumuluar pasuri të kota , por për të jetuar të lumtur. Edhe pse në rolin e një përfaqësuesi politik Presidenti propozoi: “në vend që ta masim nivelin e zhvillimit të një vendi nëpërmjet indikatorëve ekonomik të prodhimit bruto, ndoshta është rasti të përdorim tregues të mirëqënies shpirtërore ; pra lumturinë. “
Kohë më parë treguesi i mirëqënies ishte i përcaktuar ekskluzivisht nga prodhimi i brëndëshëm bruto (term jo shumë simpatik ky).Për fat, tashmë janë krijuar dhe tregues të tjerë si të ardhurat për frymë, punësimi, shkollimi, shtëpia, ekuilibri punë – jetë , mjedisi , shëndeti, impenjimi qytetar etj.
Kur në një sondazh u pyetën njerëzit se kush ishte faktori kryesor i mirëqënies së tyre , përgjigjet që mbizotëronin ishin : familja e ndjekur nga shëndeti fizik dhe mendor dhe në vend të tretë nga mardhënia në çift. Këto rezultate nuk janë surprizuese , sepse në shumë studime psikologjike janë pikërisht raportet interpersonale burimi kryesor i lumturisë.
Faktorët ekonomikë sigurisht që janë të rëndësishëm dhe krizat në ekonomi nuk lumturojnë askënd, por ti konsiderojmë përcaktues të mirëqënies tonë është pak e ekzagjeruar. Përse ? Edhe një herë Presidenti Mujica na ndriçon : “I varfër nuk është ai që ka pak ; i varfër është ai që ndjen gjithmonë nevojën të ketë më shumë se ç’ka dhe që dëshiron akoma dhe më tepër “.(mësime të herëshme këto që nga Epikuri dhe Seneka)….Pra nuk duhet të gabojmë duke ngatërruar mirëqënien me pasurinë, me mundësinë për të blerë, me dëshirën për të patur më shumë edhe pse ajo që kemi na del e na tepron.
Sipas vleresimit të një psikoanalisti të shquar të kohëve tona ne jetojmë në një botë “ pa kripë”, të lirë për të patur gjithçka. Duam një lloj çante e blejmë , një shtëpi tjetër, një makinë më të shpejtë dhe ( meqenese jemi) pse jo edhe një të dashur….por kjo nuk është të dëshirosh: ky është KOMPULSION. Eshtë motorri prepotent i palumturisë sepse të rikthen gjithmonë në pikën e nisjes.
(psikologjia për të gjithë ) 23/nëndor/2016