Tel : 0696003300
Email : [email protected]
Përpjekjet e FLUTURES .
Ndonjëherë dëshirojmë shumë të kemi një jetë pa probleme , të arrijmë të realizojmë dëshirat tona pa u lodhur shumë ; pra të arrijmë rezultate pa asnjë sforcim. Kjo dëshirë është ndër më të këqijat që mund ti urojmë vetes. Sigurisht nuk i kërkojmë me qiri andrrallat dhe pengesat, por t’ia mbathim prej tyre është akoma dhe më keq.
Sa here gjendemi para një periudhe të vështirë ku të gjitha përpjekjet duken të kota le të kujtojmë këtë histori të thjeshtë :
Përpjekjet e FLUTURES.
“ Pas një dite rraskapitëse, një fshatar teksa pushonte nën një hije ,vuri re levozhgën e mbyllur të një fluture. (krizaldë është termi (shumë i bukur por jo aq i njohur) që përdoret sot për të emërtuar lëvozhgën perpara se krimbi të shndërrohet në flutur . Lëvozhga ishte gjithandej e mbyllur me përjashtim të një vrime të vockël anash. Fshatari kureshtar e mori në dorë dhe po mundohej të shihte nga vrima e vogël . Me shumë zor arriti të dalloj fluturën e vogël që përpiqej me të gjitha forcat të dilte jashtë. Vështroi gjatë sforcimet e fluturës së vogël, që përpiqej të dilte nga lëvozhga , por përparimet ishin të pakta. I prekur nga stërmundimet e saj, fshatari nxori një biçak dhe me shumë kujdes e hapi aq sa duhej lëvozhgën deri sa flutura mundi të dilte jashte pa asnjë sforcim. Në këtë moment ndodhi diçka e çuditëshme . Fluturza e ndihmuar që të dilte nga lëvozhga, nuk kishte zhvilluar “muskuj” aq të fortë të gatshëm për të lëvizur në ajër. Ndonëse tentoi disa herë të fluturonte, mbeti në tokë e gjora dhe arriti të zvarritej vetëm pak centimetra larg lëvozhgës , e pazonja të arrinte të bënte atë për të cilën natyra e kishte krijuar. Fshatari e kuptoi gabimin e rëndë që kishte bërë dhe mori një mësim të mire që i vlejti për gjithë jetën : “ Nëpërmjet vështirësive natyra na bën më të fortë dhe më të zotët të realizojmë ëndërrat tona “.
I arrijmë me të vërtetë objektivat tona , jo kur i evitojmë vështirësitë, por kur mësojmë t’i përballim pa zgjedhur rrugën më të lehtë.
15/Janar/2017 (tregime terapeutike)