Tel : 0696003300
Email : [email protected]
E pësoi duke u munduar të imitonte të tjerët !
Vjedhja e ideve në fakt është një fenomen bezdisës dhe i urryeshëm dhe nëse narcizizmi (edhe ai vetëm intelektual ) është kthyer në një patologji sociale, bëhet ende dhe më i padurueshëm atëherë kur kush e praktikon e bën pa kurrëfarë krijimtarie mendore dhe mbi kontributin e të tjerëve.
Po përfitoj dhe unë nga Ezopi për ti dhënë kuptim këtij fenomeni ♥..
” Një skifter , gjatë periudhës së parë të jetës së tij, e kishte një farë zëri. Nuk e kishte aq të bukur ; por të mprehtë dhe të plotë. Megjithatë ai ndjente një formë zilie të papërmbajtëshme për gjithçka dhe për të gjithë. E dinte që kishte dhe lidhje me shqiponjat, por kjo në vend që ti shërbente si avantazh, e bënte dhe më shumë xheloz. E kuptonte që ishte inferior dhe e gërryente inati për këtë gjë. Ishte një ziliqar i madh ndaj zogjve shumëngjyrësh, si papagalli dhe palloi që gëzonin pëlqimin e të gjithëve dhe mernin plot lëvdata. Për më tepër tregohej dhe përçmues kundrejt bilbilit dhe thoshte me vete:
“Po , po, ka zë të bukur , por është shumë delikat dhe romantik ! Punë zogjsh të veckël ! Nëse më duhet ta përmirësoj zërin tim, sigurisht që nuk do mar si shembull këtë zog torrollak. Unë dua një zë të fortë, që të dalë mbi të tjerët!”
Ishte një ditë e bukur pranvere. Skifteri po rrinte i rehatuar mbi një degë ahu , i mbrojtur nga gjethet e pemës. Papritur mbërrin një kalë i vaposur që kërkonte një vend të freskët dhe u ndal poshtë hijes së pemës. Ndërkohë që po shtrihej t’ia merte një sy gjumë , u çpua me gjëmbat e një gëmushe dhe nga dhimbja lëshoi një hingëllimë të mprehtë. – Uaaa! “ Çfarë mrekullie ” ! – tha gjithë entuziazëm skifteri. Ky është zëri që më shkon për shtat: i mprehtë, imponues dhe i veçantë !”
Që nga ai mëngjes skifteri filloi të ushtrohej duke imituar atë tingull të mrekullueshëm. Provoi e riprovoi duke çjerrë fytin , por ishte e kotë. Kur pas shumë tentativave pa sukses u dorëzua duke ju kthyer zërit të tij origjinal, i ndodhi një surprizë e keqe: zëri i ishte zhdukur nga sforcimi , kështu që ju desh të mjaftohej me një zë të zakontë dhe të ngjirur për gjithë jetën “.
Kush i shtyrë…nga zilia kërkon të imitojë ç’ ka është jashtë natyrës së tij, humbet dhe ato pak aftësi që ka…
(tregime terapeutike) 14/nentor/2016